Print this page

Albanian

Welcome to Greater Grace World Outreach. Below is a booklet message, from Pastor Carl H. Stevens the founding Pastor of Greater Grace World Outreach, which you can read online or print and read later.

Lejoni Perëndinë t'ju dojë -- Just Let God Love You

Carl H. Stevens Jr. është pastori i Kishës "Greater Grace", me qendër në Baltimorë, Maryland (SH.B.A). Pastor Stevens është gjithashtu kancelar i shkollës biblike "Maryland Bible College & Seminary", si dhe nismëtar i programit: "The Grace Hour", program i krishterë ndërkombëtar në radio. Ky libër bazohet te një nga mesazhet e predikuara nga Pastor Stevens.

Përkthyer nga frëngjishtja "Laissez Dieu vous aimer".

Përmbajtja

Parathënie
Kapitulli I
Kur ishim ende mëkatarë

Kapitulli II
Ashtu siç jeni

Kapitulli III
Dashuria hedh themele të reja

Kapitulli IV
Nuk ka «nëse» me dashurinë e Perëndisë

Përmbledhje

Perëndia mendon për ty

Hyrje

Cila është ajo forcë që mund të na shërojë më shumë se çdo gjë tjetër? Edhe pse për t`u shëruar fizikisht apo moralisht ne e kemi marrë tashmë këtë forcë të madhe, mjerisht, ne e keqkuptojmë shpeshherë atë.
Nevoja e parë në jetën e një individi është: të marrë dashurinë e Perëndisë. A e dini se cila nevojë vjen fill pas kësaj? Nevoja e dytë është: të marrë dashurinë e Perëndisë. Do t'ju them edhe nevojën e tij të tretë: të marrë dashurinë e Perëndisë. A e kuptuat mirë?

Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por Ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona. (1 Gjonit 4:10)
Ne e duam Atë, sepse Ai na deshi i pari. (1 Gjonit 4:19)

Mos harroni kurrë se, para çdo gjëje tjetër, Perëndia na e jep me bollëk dashurinë e Tij. Hapi i parë i shërimit është pikërisht pranimi i kësaj dashurie hyjnore. Perëndia na do kështu siç jemi dhe do të vazhdojë të na dojë kështu siç jemi. Dashuria e Perëndisë nuk kërkon nga ne që të ndyshojmë, ajo vetë e sjell ndryshimin.
Nëse ju e kuptoni këtë që vijon, dashuria e Tij do të sjellë ndryshime të mëdha në jetën tuaj personale, por edhe tek miqtë tuaj, në jetën tuaj në çift si dhe në familjen tuaj.

Kapitulli I

Kur ishim ende mëkatarë

Sepse ndërsa akoma ishim pa forcë, Krishti vdiq në kohën e Tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. (Romakëve 5:6-8)

Jezu Krishti e tregoi dashurinë e Tij ndaj nesh duke vdekur në vendin tonë. Mendoni për një çast: Ai jo vetëm na deshi, por bëri diçka për të na e shfaqur këtë dashuri. Ne, nga ana jonë, nuk bëmë asgjë për këtë. Madje, as nuk u penduam që Perëndia të na donte, sepse Ai na deshi që para se të pendoheshim. Mos po nënkuptohet me këtë se ne mund të jetojmë në mëkat? Jo! Thjesht po them se vetë dashuria e Perëndisë sjell një ndryshim, por nuk kërkon asnjë të tillë nga ne.
Kështu siç je, prano dashurinë e Perëndisë personalisht për ty. Për ta bërë këtë, mos u përpiq të duash Perëndinë, të duash të tjerët me forcat e tua, sepse sapo të fillosh ta bësh këtë, do të dështosh. Thjesht, lejo Perëndinë të të dojë. Prano një dashuri së cilës nuk i mungon asgjë, një dashuri që nuk do të ndryshojë asnjëherë për ty.

Dashuria në të cilën Ai çlodhet

Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do të qëndrojë në heshtje; do të gëzohet për ty me britma gëzimi. (Sofonia 3:17)

Jezu Krishti derdhi gjakun e Tij dhe vdiq në kryq që të paguante për mëkatet tona. Ai u varros, u ringjall dhe u ngrit në Qiell. Për këtë arsye, Perëndia qëndron përjetësisht besnik në dashurinë e Tij për ne. Prandaj dhe Romakëve 9:16 na mëson se dashuria e Tij nuk varet as nga ai që do, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë (Romakëve 9:16).
Gjoni 1:12 thotë: por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij. Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës së të vërtetës (Jakobi 1:18).

Marrëdhënie më të mira

Le të përpiqemi të jemi praktikë. Si mund të rregulloj një marrëdhënie të vështirë me dikë? Duke vazhduar të jetoj me shqetësime, duke dënuar dhe duke fajësuar veten? Apo duke u përpjekur të jem i sjellshëm në mishin tim (Galatasve 6:12)? Jo. Kur një marrëdhënie nuk shkon mirë, thjesht lë Fjalën e Perëndisë të jetë e vërtetë në jetën time dhe e lejoj Perëndinë të më ndihmojë. Nëse më ndodh të bie, lë Zotin të më ndryshojë, sepse vetë nuk kam forcë për ta bërë këtë. Prandaj dhe e lejoj Atë të më ndryshojë.
A do të dështojë dashuria e Tij? Jo, nuk ka për të dështuar aspak. Mos do të vijë dita kur ajo do të ndryshojë? Jo, ajo nuk ka për të ndryshuar kurrë.

Kapitulli II

Ashtu si jeni

Kohët e fundit, një burrë më mori në telefon. Kuptova se nuk ishte njeri i moralshëm sepse sapo kishte zbuluar se ishte sieropozitiv. Ai pra ishte infektuar me virusin e SIDA-s. Kishte gabuar tri herë në pesëmbëdhjetë vjet dhe herën e tretë ishte bërë sieropozitiv. Kishte aq shumë turp t'ia thoshte gruas, saqë më mirë donte të vdiste. Çfarë mund të bënte? Tashmë e urrente atë që kishte bërë. Që tani e tutje ky burrë duhej ta lejonte veten të pranonte dashurinë e Perëndisë për të, njësoj si më parë.
Të lejojmë Perëndinë të na dojë nuk sjell mungesë disipline dhe mospërfillje nga ana jonë. Përkundrazi, kjo na mëson të heqim dorë nga jeta në mëkat, të jetojmë në qetësi shpirtërore dhe të lëmë Fjalën të banojë në zemrat tona, me gjithë pasurinë e saj.
Gjëja më e bukur që do të mund të bënit ndonjëherë është të lejoni Perëndinë t'ju dojë ashtu si jeni. Kam një arsye të mirë për ta përsëritur këtë, sepse është e vetmja mënyrë për shërimin e kujtesës dhe të shpirtit. A doni të ndryshoni imazhin tuaj për veten si dhe sjelljen tuaj? E përsëris edhe një herë, lejoni Perëndinë t'ju dojë. Pyesim veten pse burrat nuk arrijnë t'i duan siç duhet gratë e tyre. Arsyeja është e thjeshtë: ata nuk dinë si të marrin personalisht dashurinë e Perëndisë.

Të ngjashëm me Birin e Tij

Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mire për ata që e duan Perëndinë,për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij. Sepse ata që Ai I ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij, kështu që Ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që Ai paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajsoi; dhe ata që i shfajësoi edhe i përlëvdoi. (Romakëve 8: 28-30)

Me gjithëdijen e Tij, Perëndia e dinte se, me vullnetin tim të lirë, unë do të zgjidhja të besoja te Biri i Tij. Ai më shfajsoi, më shenjtëroi dhe më lartësoi, sepse ka qenë gjithnjë nga ana ime. Ai çlodhet ndërsa më jep dashuri, sepse Biri ka paguar për mëkatet e mia.
Një person nga një kishë tjetër më tha në telefon: «Kam qenë kundër teje, të kam përbuzur dhe kështu kam luftuar kundër Perëndisë. Jam njëzet e nëntë vjeç, jam duke vdekur, prandaj dua të pendohem.» Unë iu përgjigja: «Gjëja e vetme që më intereson është të lejosh Perëndinë të kujdeset për ty, duke të dhënë dashuri.» Ai m'u përgjigj: «Jam me SIDA, së shpejti do të vdes.» Unë ngulmova duke thënë: «Thjesht merr dashuri, lejo Perëndinë të të dojë. Në atë gjendje ku je, prano dashurinë e Tij për ty.» Ai kishte bërë diçka të keqe, por gjëja e vetme që kishte nevojë të bënte në atë moment ishte të pranonte se Perëndia e donte. I bëja vizitë çdo ditë dhe vazhdoja t'i thoja: «Lejo Zotin të kujdeset për ty duke të dhënë dashuri.» Pas dymbëdhjetë javësh ai doli nga spitali, u pagëzua në kishën që kishte përçmuar në të kaluarën, sepse Perëndia e kishte ndryshuar. Mendimet, emocionet dhe vendimet e këtij njeriu tani ishin në përputhje me Fjalën e Perëndisë. Zemra e tij ndryshoi, pastaj shpirti i tij u ndryshoi dhe më në fund mendimet e tij u ripërtërinë. Ai filloi të donte gruan, të cilën e kishte keqtrajtuar për vite me radhë, filloi të donte gjithashtu edhe dy vajzat e tij, pastaj filloi të donte edhe kishën dhe të humburit.
Problemi i këtij njeriu ishte se nuk e donte veten. Brenda tij ai nuk arrinte të donte veten dhe mendonte se as Perëndia nuk mund ta donte. Një ditë ai dëshmoi para kishës se trupi i tij ishte shëruar. Këtë gjë bën dashuria, në funksion të vullnetit të Perëndisë. Eshtë e vërtetë, Perëndia nuk kërkon një ndryshim, ai e sjell një ndryshim me dashurinë e Tij.
Nëse e lejoj Perëndinë të më dojë, pa patur frikë se mos Ai më vë gjithnjë në provë, nëse e lejoj Atë të më dojë pa jetuar me frikën se mos dështoj, nëse e lejoj të më dojë, pa mbajtur hidhërim dhe zemërim ndaj të tjerëve, atëherë do të shërohen shumë gjëra në jetën time. Cilido qoftë problemi,unë do të shërohem nga hiri sovran i Perëndisë. Zemra, shpirti dhe emocionet e mia do të shërohen nga fakti i thjeshtë se unë do të pranoj dashurinë e Perëndisë.

Kapitulli III

Dashuria hedh themele të reja

Një vajzë e re dymbëdhjetë vjeçare erdhi dhe më foli për tmerrin që përjetonte në shtëpi. Të shumtën e kohës, prindërit e saj nuk ishin aty dhe çdo fundjavë njëri prej tyre largohej nga shtëpia. Për më tepër,në shtëpi kishte pa pushim britma, zënka dhe dehje. Ajo më thoshte: «Kam frikë të kthehem në shtëpi se nuk di çfarë të bëj. Ti je pastori im, a mund të vish për një vizitë?»
Shkova. Për habinë tim vajza i tha të atit: «Dua që ti të dëgjosh pastorin!» Pastaj fillova t'i flisja atij duke i thënë: «A e di që para mijëra vjetësh, Jezusi e dinte që unë do të vija këtu si shërbëtor i Perëndisë? Nëse do të mund ta shprehja me fjalë deri në ç'masë të do Zoti në këtë çast, do ta bëja. Nëse do të mund ta shprehja me fjalë dashurinë e Tij dhe nëse ti do ta besoje, në këtë shtëpi gjërat do të ndryshonin.» Pas këtyre fjalëve, babai më tha se familja e tij ishte ç`ekuilibruar dhe shkatërruar plotësisht. «Eshtë e vërtetë - iu përgjigja - por dua që ta lejosh Perëndinë të të dojë dhe të mos dënosh veten. Nuk do të të kërkoj të ndryshosh zakon lidhur me pijen. Vetëm lejo Perëndinë të të dojë.» Në atë çast ai filloi të qante si fëmijë.
Atë mbrëmje dolëm në rrugë dhe ai pranoi Jezu Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot. Ai nuk piu kurrë më alkool. Më vonë edhe gruaja e tij pranoi Shpëtimtarin. Ata u pagëzuan bashkë dhe për vajzën e vogël dymbëdhjetë vjeçare ishte dita më e bukur e jetës së saj. Ata më dhanë një fotografi të familjes e cila tregonte shumë qartë se çfarë mund të bëjë Perëndia kur ne pranojmë të marrim dashurinë e Tij.

Të harrojmë të kaluarën

Shkova përsëri në atë shtëpi, por kësaj here jo për të folur për sjelljen e babait. Nga ana psikologjike, gjenetike dhe emocionale do ishte shumë e lehtë të gjenim të gjitha arsyet për të shpjeguar pse - në e atyre që kishin ndodhur. Këtë herë shkova t'i thoja babait se Perëndia e kishte krijuar atë në ngjashmëri me Të. Këtë herë shkova t'i thoja se në atë çast, Zoti e donte. Ne nuk folëm për mëkatet e tij, por ishte dashuria e Perëndisë ajo që solli pendimin tek ai. Pati një ndryshim dhe një fillim të ri. Atë ditë, dashuria e Perëndisë solli tek ai një imazh të ri për veten. Atë ditë, dashuria e Zotit i dha një ndërgjegje të re. Kjo dashuri i dha gjithashtu besimin dhe shpresën, mëshirën dhe hirin. Ai çift e mori personalisht këtë dashuri. Ata e përvetësuan brenda vetes dhe dashuria e Perëndisë u bë pjesë e tyre. A është e çuditshme të lexosh te 1 Korintasve 13:8 se dashuria nuk ligshtohet kurrë?

Të nxjerrë në dritë

Unë do të duroj zemërimin e Zotit sepse kam mëkatuar kundër Tij, derisa Ai të mbrojë çështjen time dhe të vendosë drejtësi për mua; Ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e Tij. (Mikea 7:9)

Kur Mikea, profeti, e shkroi këtë, ishte i dëshpëruar. Ai kishte mëkatuar por e kuptonte dashurinë e Perëndisë për të. Ai e dinte se Perëndia ishte atje me të, afër tij. Mikea e dinte që do të kthehej te Perëndia, falë dritës së dashurisë dhe se Ai do ta falte.
Dashuria e Perëndisë vërteton se Ai ju do ashtu si jeni, ju që jeni mëkatarë dhe pa forca. Ai ju shfajson (Romakëve 4:5). Ai ju shfajson pa ligjin dhe pa veprat (Romakëve 4: 6). Ai ju shenjtëron sepse Jezusi u bë për ju drejtësi, shenjtërim dhe shpengim (1 Korintasve 1:30). Dashuria e Perëndisë garanton se nuk do të akuzoheni për asnjë mëkat. Ajo ju garanton gjithashtu se, nëse vazhdoni në mëkat, do të disiplinoheni. Do të disiplinoheni, jo se mungon dashuria, por pikërisht se kjo dashuri ekziston. Korrigjimi do të dërgohet për t'ju përgjigjur nevojave si dhe për të sjellë mbrojtje e bekim.

Kapitulli IV

Nuk ka «nëse» me dashurinë e Perëndisë

Prej së largu i Përjetshmi më shfaqet: të dua me një dashuri të përjetshme, prandaj e ruaj për ty dashamirësinë time. (Jeremia 31:3)

Në kohën kur Perëndia tha këto fjalë, kombi i Izraelit adhuronte idhuj. Perëndia nuk i tha: «Do të të dua nëse do jesh në rregull me Mua». Ai as nuk i tha: «Do të të dua në qoftë se nuk adhuron më idhuj». Jo, Perëndia thotë: «Të dua me një dashuri të përjetshme!» Ka kaq shumë «nëse» në marrëdhëniet tona, ka kaq shumë «nëse» që pengojnë shërimin mendor dhe emocional dhe ndonjëherë nuk lejojnë shërimin fizik. Perëndia nuk thotë: «Të dua nëse ...» por thotë: «Të kam dashur që kur ishe i humbur.»
A nuk e donte i ati djalin plangprishës, kur ky kishte humbur? A nuk e donte kur ai ishte në një vend të largët, njësoj sikur të ishte në shtëpi? Po, ai e donte, sepse dashuria e këtij babai nuk ndryshoi edhe pse djali jetonte në mëkat. Dashuria e tij priti me durim për t'i dhënë hir kur djali të vendoste të kthehej në shtëpi. Edhe pse ishte në atë gjendje, djali plangprishës mori falje dhe pastrim. Babai i dha një unazë, rrobën më të bukur, këpucë të reja dhe organizoi një festë mikpritjeje. Madje për të festuar kthimin e tij u ther edhe viçi më i majmë (Luka 15:11-24).
Mendoni për gjithçka që ndodh në shoqërinë tonë dhe për mëkatet e neveritshme ku ajo është zhytur sot. Mendoni sa e frikshme është prishja e rregullit në familje dhe e marrëdhënieve mes individëve. Megjithatë, gjëja më e madhe për të cilën ka nevojë raca njerëzore është të kuptojë se sa shumë e do Perëndia. Gjëja më e rëndësishme nuk është të merresh me mëkatin por të shikosh dashurinë e Perëndisë për ty dhe vetë ajo do të merret me mëkatet tona. Dashuria e Perëndisë do të sjellë një ndryshim të vërtetë.

E derdhur në zemër

Por shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. (Romakëve 5:5)

Fryma e Shenjtë e derdh dashurinë e Perëndisë në zemrat tona dhe dashuria është fryt i Frymës. Ndërsa marr dashurinë e Zotit dhe jam i vëmendshëm ndaj faktit se Ai më do, natyra e Perëndisë fillon të zërë vend tek unë. Atëherë, temperamenti i Tij më mbush. Nuk mund ta bëj vetë, por e marr nga Ai. Natyra e Tij vjen tek unë dhe fillon të më flasë e të krijojë miqësi me mua. Dhe për më tepër, natyra e Tij tek unë nuk mëkaton kurrë.

Ndryshim drejtimi

Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si të tjerët. Por Perëndia që është i pasur me mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli bashkë me Të dhe me Të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus. (Efesianëve 2:1-6)

Ne e marrim dashurinë e Perëndisë, pavarësisht nga mënyra e ecjes. Në të kaluarën të gjithë ecnim sipas rrjedhës së kësaj bote, ishim të kontrolluar nga princi i pushtetit të ajrit dhe të gjithë ishim fëmijë të mosbindjes. Por Perëndia, që është i pasur me mëshirë dhe hir, pati një dashuri të pafund me të cilën na deshi (Efesianët 2:4). Në jetën tonë vijnë ndryshime, falë dashurisë së Tij që është e gatshme për ne. Ne e dimë se Perëndia na do shumë. Kjo gjë na lejon të shpëtohemi me anë të hirit, nëpërmjet besimit te Jezu Krishti. Ai erdhi në jetën tonë dhe dashuria e Atit, e Birit dhe e Frymës u bë intime dhe personale. Që atëhere, burime dashurie rrjedhin çdo ditë në trupin tonë. Ky nuk është emocion njerëzor, është dashuri hyjnore.
Ju mund të thoni: «Po unë nuk kam bërë asgjë të mire.» Thjesht pranoni dashurinë e Perëndisë, pavarësisht nga çfarë keni bërë. Të tjerë thonë: «Unë nuk ndihem shpirtëror.» Pranojeni dashurinë, edhe pse nuk ndjeni asgjë. Merreni atë dhe ajo do të sjellë në jetën tuaj jo vetëm dashurinë por edhe gëzimin, paqen, zemërgjerësinë, durimin, mirësinë hyjnore, mirësjelljen, besnikërinë, butësinë dhe vetpërmbajtjen.

Zgjedha e lehtë e dashurisë

Ejani tek unë, o ju të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni prehje për shpirtin tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë. (Mateu 11: 28-30)

A e dini cila është zgjedha e Tij? Dashuria. Kur marr zgjedhën e Tij mbi vete, thjesht zgjedh të marr dashurinë e Tij.

Këtu qëndron dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por Ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për të shlyer mëkatet tona. (1 Gjonit 4:10)
Ne e duam Atë, sepse Ai na deshi i pari. (1 Gjonit 4:19)

Nuk na çudit fakti që zgjedha e Tij është e lehtë. Nuk na çudit as fakti që njohja e Personit të Tij sjell çlodhje në shpirtin tonë. Ati çlodhet në dashurinë e Tij (Sofonia 3:17). Unë marr zgjedhën dhe lejoj Jezusin të më dojë kështu si jam. Atëhere tek unë ndodh një ndryshim nga fuqia e dashurisë, nga dinamika e dashurisë, nga besimi tek dashuria, nga hiri që jep dashuria dhe nga prania e dashurisë. Ndryshimi vjen dhe ndaj shërohem.


Para së gjithash të duam veten

Ka një rend në dashurinë e Perëndisë. Nuk mund t'i dua të tjerët nëse më parë nuk dua veten. Po kështu nuk mund të dua as Perëndinë. Para së gjithash duhet të pranoj dashurinë e Perëndisë për mua. Pastaj filloj ta dua veten dhe më pas filloj të dua Perëndinë. Më në fund, jam i lirë të dua edhe të tjerët - madje dhe armiqtë e mi.
Kur e doni veten, te ju zhvillohet një imazh dhe ndërgjegje e re për veten. Ju e kuptoni që jeni unikë dhe se tashmë jeni të drejtë para Perëndisë, falë shenjtërimit të kryer te ju nga gjaku i Krishtit. Nuk ka më asnjë pengesë midis jush dhe Perëndisë. Nuk ka asnjë pengesë midis jush dhe të tjerëve. Ju vetë merrni dashuri dhe i doni edhe të tjerët me fuqinë e Frymës së Shenjtë. Nuk them se duhet të udhëhiqemi nga ndjenjat apo nga mishi. Po them atë që thotë Bibla për dashurinë e Perëndisë për ne, për ne që jemi mëkatarë.
A nuk mrekullohesh kur dëgjon Davidin të thotë se dhembshuria e Perëndisë nuk shteron kurrë (2 Samuelit 24:14)? A nuk habitesh kur Pjetri e quajti Zotin, Perëndia i çdo hiri (1 Pjetrit 5:10) dhe Pali e quan: Ati i mëshirës, Perëndia i çdo ngushëllimi (2 Korintasve 1:3)?
Perëndia thërret: «Abraham, ti nuk më ke folur për trembëdhjetë vjet, por Unë përsëri të dua.» Perëndia thotë: «Jakob, ti u largove dhe mëkatove për njëzet vjet. Unë gjithnjë të dua dhe do të të flas.» Diku tjetër në Bibël, Perëndia inkurajon: «Gedeon, ti po fshihesh dhe nuk dëshiron të të përdor. Unë të dua kështu si je. Unë do t'i largoj frikwrat e tua dhe do të jap një fitore të madhe.» Ai thotë gjithashtu: «Samson, ti dështove me Delilën, por Unë të dua. Merr përsëri fuqi dhe shkatërroji armiqtë e tu.» Ai vazhdon në Dhjatën e Re: «Pjetër, ti më mohove dhe madje më mallkove kur po më mohoje. Ti më braktise publikisht, por Unë të dua. Ti do t'ia predikosh këtë mesazh të rëndësishëm një numri të madh njerëzish, kur Fryma e Shenjtë të zbresë te ty.» Dhe akoma: «Pal, ti ke vrarë të krishterë, more pjesë në vrasjen me gurë të Stefanit. Por Unë të dua. Unë të shpëtoj dhe të përdor fuqishëm për paganët.»
Te Gjoni 13:1, Bibla thotë se Ai i deshi ata deri në fund. Çfarë do të thotë deri në fund ? Kjo do të thotë se asgjë nuk mundi ta ndryshonte dashurinë e Tij për dishepujt e Tij. Ata dështuan, e mohuan, e braktisën kur ai kishte më shumë nevojë për ta, por kjo nuk e ndryshoi dashurinë e Tij. Ai i deshi ata deri në fund dhe Ai do të na dojë, ju dhe mua, deri në fund.


Përmbledhje

Jam i bindur se Ai që nisi një punë të mirë te ju do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. (Filipianëve 1:6)

Nëse e gjeni veten në kurthin e mëkatit, lejoni Perëndinë t'ju dojë aty ku jeni dhe lejojeni të sjellë një ndryshim të virtytshëm në jetën tuaj. E rëndësishme është t'i përgjigjeni dashurisë së Tij. Shpresoj se këto fjalë ju kanë nxitur ta lejoni Atë t'ju dojë dhe kështu të vazhdoni të përparoni në jetën e krishterë.
Perëndia është dashuri. Ai fal gjithçka. Ai më ka falur mua siç ju ka falur edhe juve. Ne u lamë dhe u pastruam me anë të besimit. Dashuria e Tij nuk mund të dështojë dhe nuk do të ndalojë kurrë së na ndryshuari. Dhe për më tepër, dashuria e Tij nuk do të ndalojë kurrë së ndryshuari të tjerët nëpërmjet nesh. Mendoj se kjo është forca më e madhe në këtë botë; atëherë le ta lëmë të shpërthejë !


Perëndia mendon për ty

Jezusi të do shumë, por meqënëse ne të gjithë mëkatuam, jemi ndarë nga Perëndia. "Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë" (Romakëve 3:23). "Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë" (Romakëve 6 :23 ).
Megjithatë Zoti mendon për ty. Ai ka siguruar një mënyrë për të të dhënë dashurinë e Tij. Dashuria e Jezu Krishtit për njeriun është kaq e madhe sa Ai erdhi në tokë të vdiste në kryq për mëkatet e gjithë njerëzve. Ai derdhi gjakun e Tij personalisht për ty në mënyrë që Zoti të të falë dhe të marrësh jetën e përjetshme. E vetmja gjë që të kërkon është t`i afrohesh Atij me një besim të thjeshtë. Beso te karakteri dhe dashuria e Tij dhe pranoje Atë si Shpëtimtarin tënd.

«Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit do të shpëtohet.» (Veprat e Apostujve 2:21)

Lutu thjesht: "I dashur Jezus, e di që jam mëkatar. Unë të pranoj si Shpëtimtarin tim personal. Faleminderit që më do kaq shumë sa vdiqe për mua që unë të kem jetën e përjetshme bashkë me Ty. Amen." Jezusi ka premtuar se nuk do ta ndalë asnjëherë dashurinë e Tij për ty. Ai nuk do të të lërë asnjëherë, nuk do të të braktisë kurrë (Hebrenjve 13:5 ).
Zhvilloje marrëdhënien me Të duke lexuar Biblën, duke u lutur dhe duke u bërë pjesëtar i një kishe ku besohet se Bibla është Fjala e Zotit.

 


Previous page: Languages
Next page: Bulgarian